Është e mundur që dijetarët nga lindja të mos kenë arritur në Jerusalem deri pas prezantimit të Mbretit të sapolindur në tempull, kur Ai ishte 40 ditësh. Këta dijetarë, ‘magjistarë’ (në greqisht ‘magoi’), mund të jenë astrologë babilonas. Fjala ‘i ditur’ përmendet edhe te Danieli 2:12, 48. Ashtu si edhe ‘dijetarët’ ose magjistarët e Egjiptit në kohën e Jozefit dhe Moisiut, ata janë të shqetësuar për interpretimin e errët të ëndrrave dhe shenjave të veçanta në qiellin yjor.
Profeti Daniel u caktuar kryetar mbi të diturit gjatë periudhës së robërisë në Babiloni (rreth 600 para Krishtit), edhe pse ai vetë kishte qëndruar gjithmonë besnik ndaj zbulimeve të Perëndisë së Izraelit. Në Babiloni adhurohej perëndia Bel. Danieli mund të ketë përmendur profecinë e Mesias nga Numrat 24:17: “... një yll do të dalë nga Jakobi dhe një skeptër do të ngrihet nga Izraeli, i cili do ta shtypë Moabin fund e krye dhe do të rrëzojë tërë bijtë e Shethit”. Dijetarët të cilët kanë ardhur të adhurojnë Jezusin mund ta kenë ditur këtë profeci.
Magjistarët në origjinë ishin një fis nga Media, të përmendur nga shekulli i 7-të para Krishtit. Familja priftërore ushtronte ndikim të madh si në sunduesit persianë dhe ata babilonas. Këta sundues e morën parasysh njohurinë e fshehtë të të diturve kur ata merrnin vendime. Kjo njohuri luajti një farë roli edhe në caktimin e sunduesve të rinj. Magjistarët më pas iu bashkuan Zoroastranizmit në Persi, por ruajtën ritualet e tyre tradicionale të fshehta. Kjo histori tregon se Perëndia i kërkon johebrenjtë në kulturën e tyre, duke ua zbuluar në mënyra që ata njohin se Mbreti, Mesia ka lindur.
Ndërkohë, kjo nuk do të thotë se Ai miraton astrologjinë. Ata vijnë të adhurojnë Mbretin, ndërsa është ende Fëmijë në këtë kohë, por që kur Ai u ngjit në fron – mbi fuqitë yjore – në krahun e djathtë të Perëndisë, “përmbi çdo principatë, pushtet, fuqi, zotërim dhe çdo emër që përmendet jo vetëm në këtë botë, por edhe në atë të ardhme...”. Efesianëve 1:21. Adhurimi i tyre është në kontrast të fortë me reagimin mosbesues të kryetarëve dhe skribëve judeas dhe i mbretit Herod, i cili dëshiron ta vrasë Fëmijën.
Psalmi 72:11:
“Po, gjithë mbretërit do ta adhurojnë dhe gjithë kombet do t’i shërbejnë”.