Te Luka 15:2, thuhet se liderët fetarë e qortuan Jezusin pasi merrej me njerëz mëkatarë si gra të përdala dhe zyrtarë të taksave të korruptuar: “... ky njeri i pret mëkatarët dhe shtrohet e ha me ta”. Në përgjigje, Jezusi u tregon 3 shëmbëlltyra. Këto tre shëmbëlltyra te Luka 15, janë të gjitha mbi diçka që kishte humbur dhe u gjet. Në Dhiatën e Vjetër, profeti Ezekiel kishte profetizuar se Perëndia, Vetë ‘Bariu i Izraelit’, do të kërkonte delet e tij të humbura dhe ato që vërdalloseshin për shkak se barinjtë e pabesë kishin dështuar. Ezekieli 34. Te Mateu 15:24, Jezusi thotë: “’... nuk jam dërguar gjetiu, përveçse te delet e humbura të shtëpisë së Izraelit”.
Djali i ri, i cili në shëmbëlltyrën e dy bijve, u largua nga shtëpia e atit të tij që të ndiqte rrugën e tij, ishte shembull për njërën prej këtyre ‘deleve të humbura’. Kur ai u kthye tek ati i tij, gjeti falje dhe gëzim. Kështu kishte gëzim në qiell për të gjithë mëkatarët që u kthyen te Perëndia.
Djali i madh, në shëmbëlltyrë ngjan me liderët fetarë të cilët e akuzuan Jezusin se miqësohej me mëkatarë. Ai ishte i drejtë në sytë e tij. Ai e përçmoi vëllain e tij dhe nuk i dha dashuri. Ai nuk ishte i gëzuar për kthimin e tij. Po kështu, liderët shpirtërorë nuk kishin dashuri për njerëzit ‘që nuk e njihnin ligjin’. Gjoni 7:49. Derisa biri i madh të pendohej për mosdashurinë e tij dhe qëndrimin e tij arrogant, ai do të ishte biri i vërtetë ‘i humbur’.
Kjo shëmbëlltyrë mund të lërë përshtypjen se Perëndia fal me shpejtësi e gatishmëri njeriun që vjen tek Ai dhe nuk i vë re mëkatet e kryera. Megjithatë, Perëndia është i mëshirshëm, por Ai është edhe i drejtë. Mëkati duhet ndëshkuar. Kthimi tek Perëndia është i hapur vetëm sepse Jezusi mbarti dënimin në vendin tonë. Gjoni 3:16: ‘Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetën e përjetshme”.
Jezusi thotë te Gjoni 14:6 : “Unë jam udha, e vërteta dhe jeta; askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet meje”.
Misioni i Jezusit tejkalonte kërkimin e të humburve të Izraelit. Te Gjoni 10:16, Ai thotë: “Unë kam edhe dele të tjera që nuk janë të kësaj vathe; duhet t’i sjell ato , dhe ato do ta dëgjojnë zërin tim, dhe do të jenë një tufë e vetme dhe një Bari i vetëm”.
Vepra e tij e shpengimit kishte domethënie universale (mbarëbotërore). “51 ... Jezusi duhej të vdiste për kombin, 52 dhe jo vetëm për kombin, por edhe për t’i mbledhur në një, bijtë e Perëndisë që ishin të shpërndarë”. Gjoni 11:51-52, Efesianëve 2:11-22.