Pak para se Jezusi të vuante dhe të vdiste në kryq, Ai krijoi Darkën e Shenjtë, dhe e kremtoi atë me dishepujt e Tij. Pas festimit, Ai tha: “Ju të gjithë do më braktisni (skandalizoheni?)”. Pjetri i përgjigjet: “Edhe nëse ata të gjithë do të braktisin, unë nuk do ta bëj”. Dhe Jezusi i tha atij: “Unë po të them në të vërtetë se sot, pikërisht në këtë natë, para se gjeli të këndojë dy herë, ti do të më mohosh tri herë”. Jo shumë kohë më pas, Jezusi arrestohet në kopshtin e Gjetsemanit. Atë e shpien te shtëpia e kryepriftit për t’u marrë në pyetje. Pjetri e ndjek Atë nga larg deri në oborrin e shtëpisë, ku po digjet një zjarr qymyri. Është natë e ftohtë. Atje Pjetrin e njohin shumë veta se ishte dishepull i Jezusit, por Pjetri e mohon tri herë faktin se e njeh Jezusin.
Nga kjo histori bëhet e qartë se në vuajtjen e Tij, Jezusi nuk merr asnjë mbështetje nga ndjekësit e Tij. Të gjithë e braktisën. Profecia e Zakarias 13:7 kështu u përmbush.
Ndërsa gjyqi kundër Jezusit fillon, edhe dishepulli që kish shpallur besnikëri më të zellshme ndaj Tij, bëhet i pabesë.
Sidoqoftë, më përpara, Jezusi kishte ndërhyrë për Pjetrin që besimi i tij të mos mpakej. Ai e dinte para kohe se Pjetri do ta mohonte. Kur Pjetri dëgjon gjelin të këndojë, ai e kupton se çfarë ka bërë, pendohet dhe qan me hidhërim.
Jezusi qëllimisht zgjodhi të vuante në mënyrë që të mbartte në vendin tonë ndëshkimin që ne meritojmë për mëkatet tona.
“Nëse jemi të pabesë, ai mbetet besnik; ai nuk mund të mohojë vetveten. 2 e Timoteut 2:13.
Te Gjoni 21, kur Jezusi i shfaqet dishepujve pas Ringjalljes së Tij nga vdekja, Ai e pyet Pjetrin (sërish afër zjarrit të qymyrit), e pyet tri herë nëse ai e do Jezusin. Pjetri, i përulur pas mohimit të tij të trefishtë, i përgjigjet tri herë: “Ti e di se të dua”. Jezusi atëherë i beson Pjetrit të qenit bariu i deleve të Tij.
Besimi në Jezusin sprovohet, si metali që pastrohet ose testohet në zjarr. Në letrat që Pjetri i shkruan bashkësisë së Krishtit afërsisht 30 vite më vonë, ai u tregon atyre që të mos tronditen nga zjarrmi i flaktë i sprovave të besimit, sepse të ndjekësh Krishtin do të thotë të ndash me të vuajtjet e Tij, e më pas të ndash edhe lavdinë e Tij dhe fitoren mbi vdekjen. Ai i thërret besimtarët të jenë gjithmonë “gati për mbrojtje ndaj kujtdo që ju kërkon fjalë për shpresën që është në ju, por me butësi e me druajtje”. 1 e Pjetrit 3:15.
Si bari i deleve të Krishtit, ai i thërret të tjerët që të kujdesen për kopenë e Perëndisë, të jenë vigjilentë kundër tundimit të djallit, dhe të jenë shembull për tufën.