Kthehu te indeksi

Mohimi i Pjetrit

Kjo përmbajtje është e disponueshme vetëm pasi të keni pranuar cookies.

Marku 14:67

... Dhe kur pa Pjetrin që po ngrohej, e vështroi me kujdes dhe tha: “Edhe ti ishe me Jezusin nazarenas”.

Teksti i plotë i biblës

Marku 14:27-31 27 Dhe Jezusi u tha atyre: “Ju të gjithë do të skandalizoheni me mua sonte, sepse është shkruar: “Do ta godas bariun dhe delet do të shpërndahen”. 28 Por, mbasi të ringjallem, unë do të shkoj përpara jush në Galile”. 29 Por Pjetri i tha: “Edhe sikur të gjithë të tjerët të skandalizohen me ty, unë nuk do të skandalizohem”. 30 Dhe Jezusi i tha: “Unë po të them në të vërtetë se sot, pikërisht në këtë natë, para se gjeli të këndojë dy herë, ti do të më mohosh tri herë”. 31 Por ai, duke ngulur këmbë më tepër, thoshte: “Edhe sikur të më duhet të vdes me ty, nuk do të të mohoj kurrë”. Të njëjtën gjë thoshin edhe gjithë të tjerët. Vargjet 66-72: 66 Ndërsa Pjetri ishte poshtë në oborr, erdhi një nga shërbëtoret e kryepriftit. 67 Dhe kur pa Pjetrin që po ngrohej, e vështroi me kujdes dhe tha: “Edhe ti ishe me Jezusin nazarenas”. 68 Por ai e mohoi duke thënë: “Nuk di, as nuk marr vesh se ç’po thua”. Pastaj doli jashtë, në hyrje të oborrit dhe gjeli këndoi. 69 Dhe shërbëtorja, duke e parë përsëri, filloi t’u flasë të pranishmëve: “Ky është nga ata”. 70 Por ai përsëri e mohoi. Dhe pak më vonë të pranishmit i thanë përsëri Pjetrit: “Me të vërtetë ti je një nga ata; se ti je galileas dhe e folura jote ngjan”. 71 Por ai nisi të mallkojë dhe të betohet: “Unë nuk e njoh atë njeri për të cilin po flisni”. 72 Dhe gjeli këndoi për të dytën herë; atëherë Pjetrit iu kujtua fjala që Jezusi i kishte thënë: “Përpara se gjeli të këndojë dy herë, ti do të më mohosh tri herë”. Dhe, duke e menduar këtë, qau.

Mbi pikturën

Kjo përmbajtje është e disponueshme vetëm pasi të keni pranuar cookies.
Pak para se Jezusi të vuante dhe të vdiste në kryq, Ai krijoi Darkën e Shenjtë, dhe e kremtoi atë me dishepujt e Tij. Pas festimit, Ai tha: “Ju të gjithë do më braktisni (skandalizoheni?)”. Pjetri i përgjigjet: “Edhe nëse ata të gjithë do të braktisin, unë nuk do ta bëj”. Dhe Jezusi i tha atij: “Unë po të them në të vërtetë se sot, pikërisht në këtë natë, para se gjeli të këndojë dy herë, ti do të më mohosh tri herë”. Jo shumë kohë më pas, Jezusi arrestohet në kopshtin e Gjetsemanit. Atë e shpien te shtëpia e kryepriftit për t’u marrë në pyetje. Pjetri e ndjek Atë nga larg deri në oborrin e shtëpisë, ku po digjet një zjarr qymyri. Është natë e ftohtë. Atje Pjetrin e njohin shumë veta se ishte dishepull i Jezusit, por Pjetri e mohon tri herë faktin se e njeh Jezusin. Nga kjo histori bëhet e qartë se në vuajtjen e Tij, Jezusi nuk merr asnjë mbështetje nga ndjekësit e Tij. Të gjithë e braktisën. Profecia e Zakarias 13:7 kështu u përmbush. Ndërsa gjyqi kundër Jezusit fillon, edhe dishepulli që kish shpallur besnikëri më të zellshme ndaj Tij, bëhet i pabesë. Sidoqoftë, më përpara, Jezusi kishte ndërhyrë për Pjetrin që besimi i tij të mos mpakej. Ai e dinte para kohe se Pjetri do ta mohonte. Kur Pjetri dëgjon gjelin të këndojë, ai e kupton se çfarë ka bërë, pendohet dhe qan me hidhërim. Jezusi qëllimisht zgjodhi të vuante në mënyrë që të mbartte në vendin tonë ndëshkimin që ne meritojmë për mëkatet tona. “Nëse jemi të pabesë, ai mbetet besnik; ai nuk mund të mohojë vetveten. 2 e Timoteut 2:13. Te Gjoni 21, kur Jezusi i shfaqet dishepujve pas Ringjalljes së Tij nga vdekja, Ai e pyet Pjetrin (sërish afër zjarrit të qymyrit), e pyet tri herë nëse ai e do Jezusin. Pjetri, i përulur pas mohimit të tij të trefishtë, i përgjigjet tri herë: “Ti e di se të dua”. Jezusi atëherë i beson Pjetrit të qenit bariu i deleve të Tij. Besimi në Jezusin sprovohet, si metali që pastrohet ose testohet në zjarr. Në letrat që Pjetri i shkruan bashkësisë së Krishtit afërsisht 30 vite më vonë, ai u tregon atyre që të mos tronditen nga zjarrmi i flaktë i sprovave të besimit, sepse të ndjekësh Krishtin do të thotë të ndash me të vuajtjet e Tij, e më pas të ndash edhe lavdinë e Tij dhe fitoren mbi vdekjen. Ai i thërret besimtarët të jenë gjithmonë “gati për mbrojtje ndaj kujtdo që ju kërkon fjalë për shpresën që është në ju, por me butësi e me druajtje”. 1 e Pjetrit 3:15. Si bari i deleve të Krishtit, ai i thërret të tjerët që të kujdesen për kopenë e Perëndisë, të jenë vigjilentë kundër tundimit të djallit, dhe të jenë shembull për tufën.

Bëj një pyetje mbi pikturën

Shkarkoe imazhin falas A preferon një stampim në kanavacë?