Ndërsa populli i Izraelit bëhet përherë e më imoral gjatë kohës së librit të Gjyqtarëve, kjo reflektohet edhe në vetë gjyqtarët. Çdo gjykatës pasues ka përherë e më shumë të meta se gjykatësi para tij. Për më shumë, çlirimet që arrijnë janë veçse periudha të shkurtra paqeje dhe qetësie për tokën e Izraelit. Këto dështime e bëjnë lexuesin të dëshirojë për një Shpëtimtar përfundimtar i Cili do të sjellë prehje të vërtetë për popullin e Perëndisë; Mesia i premtuar (Zanafilla 3:15), i Cili shpengon popullin e Tij përgjithmonë. Sansoni është gjykatësi i dymbëdhjetë dhe i fundit i përshkruar te Gjyqtarët.
Sansoni vjen nga fisi i Danit. Dani është biri i Jakobit dhe shërbëtores së tij Bilhas. Dyanshmëria është karakteristikë e Danit. Ai do ta gjykojë Izraelin, por do të tregojë edhe karakteristika të gjarprit, shih Zanafilla 49:17. Kjo dyanshmëri (ose gjysmësi), karakterizon edhe Sansonin; ai është në fakt gjykatës i Izraelit, por ai shpesh ndjek edhe tendencat e zemrës së tij mëkatare. Duke bërë kështu, ai heq dorë përfundimisht nga dhuntia e Perëndisë; forca e tij e madhe.
Përpara lindjes së tij, Engjëlli i Zotit thotë se Sansoni do të jetë një nazireas; dikush që i përkushtohet Perëndisë. Kreu i tij nuk duhet të preket nga brisku, ai nuk duhet të përdorë pije të forta ose ushqim të papastër, si shenjë e shërbesës së tij Nazirease.
Në ditët e Sansonit, filistinët kërcënojnë të pushtojnë Izraelin. Por ai do të “fillojë të çlirojë Izraelin nga duart e Filistenjve”, Gjyqtarët 13:5. Kur Fryma e Zotit derdhet mbi të, ai merr fuqi fizike të madhe. Sansoni me anë të fuqisë së tij të madhe vret shumë filistenj. Në të njëjtën kohë ai është i dobët. Ai nuk mund t’i rezistojë tundimeve të grave filistine.
Kur filistinja Delilah ngulmon që t’i tregojë asaj se ku qëndron sekreti i fuqisë së tij të madhe, Sansoni vërtetohet krejt i dobët, sa më në fund i zbulon asaj sekretin. Delilaha i rruan flokët e tij të gjatë – shenjë e shërbesës së tij nazirease – dhe kjo shkakton rënien e tij. Fryma e Shenjtë e braktis atë, Sansoni humbet fuqinë e tij, lirinë dhe shikimin e tij.
Në të njëjtën kohë Sansoni përmendet diku tjetër në Bibël si dikush që (po ashtu) veproi me besim:
Hebrenjve 11:32-34 :
32 Dhe ç’të them më? Sepse nuk do të mjaftonte koha, po të doja të tregoja për Gedeonin, Barakun, Sansonin, Jefteun, Davidin, Samuelin dhe për profetët,
33 të cilët, me anë të besimit gjunjëzuan mbretëri, vepruan drejtësi, arritën premtime, ua zunë grykën luanëve,
34 fikën fuqinë e zjarrit, shpëtuan nga tehu i shpatës, u bënë të fuqishëm prej dobësisë, u bënë të fortë në betejë, thyen ushtritë e huaja.