Sipas këshillës së Naomit, Ruthi shkon natën në lëmin e Boazit. Ruthit 3. Atje Ruthi i kërkon atij nëse ai dëshiron të martohet me të. “Sepse ti je shpenguesi” shton ajo.
Çfarë është një shpengues? Levitiku 25:25 thotë, ‘Në qoftë se yt vëlla bëhet i varfër dhe shet një pjesë të pronës së tij, ai që ka të drejtën e shpengimit, i afërmi i tij më i ngushtë, do të vijë dhe do të shpengojë atë që vëllai i tij ka shitur”.
Ruthit 4:3 thotë se Naomi e shiti tokën e burrit të saj të ndjerë Elimelek. Por një pjesë e tokës që i përkiste një familjeje si trashëgimi nuk mund të shitej përgjithmonë. Naomi e dinte se Boazi, në tokën e të cilit Ruthi kishte ardhur të korrte, ishte farefis, një nga shpenguesit e mundshëm.
Te Ruthit 4, kushti i shpengimit duket se ndërthuret me kushtin e martesës levirate. Kjo është martesa e një burri me vejushën e vëllait të tij të vdekur. Në këtë mënyrë sigurohet se trashëgimia e vëllait nuk humbet. Shih Ligji i Përtërirë 25:5.
Boaz i përgjigjet Ruthit (Ruthit 3:13) se ai është i gatshëm të pranojë mbi vete përgjegjësinë e shpengimit, por ai e di se është dikush tjetër, me lidhje gjinore më të afërt. Nëse ai nuk dëshiron ta shpengojë, do ta bëjë Boazi.
Boazi vete te porta e pleqve të Bethlehemit ditën tjetër që të zgjidhë çështjen zyrtarisht.
Te Ruthi 4:5 ai i thotë të afërmit të parë se në këtë rast shpenguesi ka gjithashtu detyrën të martohet me Ruthin, “për të ruajtur emrin e të vdekurit (Mahlonit) mbi trashëgiminë e tij”. I afërmi i parë atëherë e refuzon shpengimin; ai donte të blinte tokën por jo të martohej me Ruthin.
Si vërtetim se i jepte Boazit të drejtën e shpengimit, ai heq këpucën e tij dhe ia jep Boazit. Boazi e pranon përgjegjësinë e shpengimit dhe e merr Ruthin për grua.
Në Bibël, Zoti quhet Shpengimtari. Psalmi 19:15. Jobi 19:25.
Për shembull, kur Izraelitët u skllavëruan në Egjipt, Perëndia u ngrit ti shpengonte dhe t’u jepte atyre një trashëgimi në Tokën e Premtuar.
Ati jep Birin e tij Jezus Krishtin si Shpëtimtar.
Shpengueshmëria në Izrael ishte një parafytyrim i kësaj. Jezusi “jep jetën e Tij si shpërblesë për shumë veta” (Mateu 20:28).
Ai u bë i afërm i yni duke u bërë njeri si Biri i Perëndisë; familje e Adamit dhe pasardhjes së tij.
Kështu, Ai u bë Shpëtimtari që pagoi borxhin e mëkatit të botës.
“Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetën e përjetshme. Gjoni 3:16.
Në Bibël, Zoti quhet edhe Dhëndri i Izraelit. Isaia 54:5, 62:5, Jeremia 2:32, ashtu si në Dhiatën e Re përbashkësia e besimtarëve quhet Nusja e Krishtit. 2 e Korintasve 11:2. Ai është besnik ndaj besëlidhjes së Tij.