Kur Davidi ishte tridhjetë vjeç, ai u vajos mbret mbi gjithë Izraelin, 2 i Samuelit 5.
Ai mundi Jebusitët dhe mori Jerusalemin. Ai pushtoi fortesën e Sionit dhe u vendos aty. Në këtë mënyrë Sioni u bë ‘Qyteti i Davidit’. Rreth njëzetepesë vite më vonë ai ndërtoi pallatin e tij atje, në 979 para K.
Tani, Davidi, e di ‘se ZOTI po e vendoste si mbret të Izraelit dhe e lartësonte mbretërinë e tij për dashurinë që kishte për popullin e Izraelit’, 2 i Samuelit 5:12 .
Te 2 i Samuelit 6 lexojmë se Davidi vendos të sjellë Arkën e besëlidhjes nga Kirjath-Jerimi në Jerusalem.
Përpjekja e parë për ta bërë këtë dështoi turpshëm, sepse transporti i këtij objekti të shenjtë nuk u bë në mënyrën e duhur (2 i Samuelit 6:6-11).
Përpjekja e dytë ndodh me miratimin e Perëndisë. Davidi sjell Arkën – e cila tani mbahet nga Levitët – në Jerusalem me gëzim të madh. Ai vallëzon përpara arkës, një valle të gëzueshme rrotullimi ‘përpara Perëndisë’; shih vargu 21.
Mbërritja shoqërohet me shumë muzikë dhe këngë. Shih 1 i Kronikave 15 dhe 16.
Në pikturë theksi bie mbi përjetimin e gëzuar të Davidit, në praninë e Perëndisë dhe para syve të njerëzve të thjeshtë. Shih vargu 22.
Vendosja e Arkës në Jerusalem, qendra e qeverisjes, është një tregues se Jerusalemi do të bëhet edhe qendra shpirtërore e Izraelit. Tani, për herë të parë, Perëndia zgjedh një qytet nga të gjitha fiset e Izraelit që të vendosë emrin e Tij atje. Shih edhe Ligji i Përtërirë 12:5. Tabernakulli dhe Arka nuk kishin qenë kurrë më parë në një vend të caktuar.
Kur Salomoni më vonë ndërtoi tempullin në Jerusalem, dhe arkës i jepej një vend i përhershëm atje, lavdia e Perëndisë mbushi tempullin.
Qyteti i Jerusalemit (qyteti i paqes), quhet po ashtu qyteti i Shenjtë. Mateu 27:53.
Më vonë, Perëndia, do t’i tregojë Davidit vendin e duhur ku ai do të ndërtojë tempullin e Tij, pikërisht në lëmin e Araunas Jebuzitit, mbi malin Moria. Shih edhe Zanafilla 22.
Tempulli është një tip parafytyrimi të Krishtit. Shih edhe Gjoni 2:19-22.
Perëndia e lidh Emrin e Tij me shtëpinë/dinastinë e Davidit; Ai bën një besëlidhje me Davidin. 2 i Samuelit 7.
Me themelimin e mbretërisë së Davidit, Ai mbjell një rrënjë, nga e cila do të lindë një filiz, ‘Filizi nga trungu i Isait’. Isaia 11.
Jeremia 33:15 : ‘Në ato ditë dhe në atë kohë do të bëj që të mbijë për Davidin një filiz drejtësie, që do të ushtrojë gjykimin dhe drejtësinë në vend’.
Te Zbulesa 22:13, Krishti quhet ‘Rrënja dhe Pasardhja e Davidit’.
Me rastin e mbërritjes së Arkës në Jerusalem, Davidi shkruan një psalm lëvdimi, shih 1 i Kronikave 16:8-36.