Kur Ismaeli dhe e ëma e tij Hagar u dëbuan, Isaku u rrit si trashëgimtar i Abrahamit dhe Sarës. Besimi i Abrahamit u sprovua nga urdhri i Zotit që të ofronte Isakun si flijim. Edhe pritja që të bëhej me djalë kishte qenë provë e vështirë. Megjithatë (Romakët 4:18) “...kundër çdo shprese, Abrahami me shpresë besoi dhe kështu u bë ati i shumë kombeve, pikërisht siç i ishte thënë atij, “Kështu do të jetë pasardhja jote”. Pa u zbehur në besimin e tij, ai u përball me faktin se trupi i tij ishte thuajse i vdekur – dhe mitra e Sarës ishte po ashtu e vdekur”.
Abrahami besoi se Perëndia edhe përmes vdekjes do ta mbante premtimin e Tij. Edhe tani, kur i duhej ta sillte Isakun si flijim, kjo duhet t’ia ketë lënduar zemrën tmerrësisht.
Me besim, kur Perëndia e sprovoi atë, Abrahami ofroi Isakun si holokaust. Ai i cili kishte rrokur premtimet e Perëndisë, do sakrifikonte birin e tij të vetëm, edhe pse Perëndia i kish thënë atij, “Përmes Isakut pasardhja jote do të përllogaritet”. Abrahami arsyetoi se Perëndia mund ta ringjallte, e kështu në një farë mënyre ai e fitoi prapë Isakun prej vdekjes.
Kjo histori është shumë e ngjashme me historinë e lindjes, vuajtjeve dhe flijimit të Birit të vetëmlindur të Perëndisë; Jezus Krishtit.
Abrahami e ka parë këtë me besim, Gjoni 8:56 : ‘Abrahami, ati juaj, ngazëllehej në shpresën që të shihte ditën time; e pa dhe u gëzua’.