Te Zanafilla 11 dhe 12 prezantohet Abrami; pasardhës i Shemit. Zoti e thërret Abramin të largohet nga Uri i Mesopotamisë, dhe të vejë në vendin që Perëndia do t’i tregonte atij: Kanaani. Perëndia i premton Abramit se do ta bëjë popull të madh dhe i premton atij se do t’i japë tokën e Kanaanit pasardhësve të tij. Për më tepër, Zoti i thotë atij: ‘dhe ti do të jesh bekim’ dhe ‘gjithë popujt e tokës do të bekohen përmes teje’.
Abram niset për në Kanaani dhe mbërrin atje. Ndërsa udhëton përmes vendit ai ndërton altare për Perëndinë në disa vende; së pari në Shekhem, më pas edhe në rrethinat e Bethelit dhe Ait. Altari i tretë i përmendur në tekst ndërtohet afër pemëve të larta të Mamres në Hebron. Ky altar paraqitet në pikturë. Hebroni është i dukshëm në sfond.
Një altar është një vend ku kryhen flijime. Abrami iu përgjigj premtimeve të Perëndisë me adhurim. Në këtë adhurim në altar, flijimi luajti rol kryesor. Flijimi i referohet sakrificës më të lartë të Jezusit, përmes së cilës ne mund të vijmë te Perëndia.
Hebron do të thotë: vend përbashkësie dhe vëllazërie. Mamre do të thotë: begati.
Abram përjetoi përbashkësi me Zotin përmes adhurimit, dhe u preh në besnikërinë e premtimeve të Tij për sa i përket tokës dhe pasardhjes së tij. Ai ‘priste qytetin, që ka themelet, mjeshtër dhe ndërtues i të cilit është Perëndia’ (Hebrenjtë 11:10).
Jezusi, duke folur për Abrahamin tha: (Gjoni 8:56) ‘Abrahami, ati juaj, ngazëllehej në shpresën që të shihte ditën time; e pa dhe u gëzua’.
Më vonë në historinë e Izraelit, Hebroni përmendet si një prej gjashtë qyteteve strehë (Jozueu 20:7, 8). Një qytet strehë është një vend ku kushdo që vret një njeri aksidentalisht dhe pa dashje, mund të arratiset atje dhe të gjejë mbrojtje nga hakmarrësi i gjakut. Në një farë mënyre qyteti strehë është një pasqyrim i Jezus Krishtit. Kushdo që është në Të përmes besimit, nuk do të dënohet.