Në burg Jozefi shpjegon ëndrrat e kupëmbajtësit dhe bukëpjekësit të faraonit, me saktësi. Ashtu siç kishte parathënë Jozefi, pas tre ditësh kupëmbajtësi u rikthye në detyrën e tij në oborrin e faraonit. Dy vite më vonë, faraoni sheh dy ëndrra. Kupëmbajtësi kujtohet për dhuntinë e Jozefit për shpjegimin e ëndrrave, dhe kështu Jozefi thirret të shpjegojë ëndrrat e faraonit. Kur Perëndia i jep Jozefit shpjegimin e saktë të ëndrrave, shoqëruar me një këshillë të zgjuar, faraoni e ngarkon Jozefin me detyrën e përgjegjësit për të gjithë tokën e Egjiptit, si i dytë në komandim nën faraonin.
Ëndrrat e faraonit bëhen të vërteta; shtatë vite bollëk pasohen nga shtatë vite zi urie. Gjatë këtyre viteve vëllezërit e Jozefit shkojnë të blejnë misër në Egjipt, sepse kishte krizë urie edhe në tokën e Kanaanit. Kur ata mbërrijnë, Jozefi i njeh vëllezërit e tij, por ata nuk e njohin atë.
Ndodhin disa takime, dhe Jozefi i vë në provë ata në mënyra të ndryshme, për të parë nëse zemrat e sjellja e tyre kanë ndryshuar që atë ditë kur ata e shitën atë për në Egjipt. Me sa duket, vëllezërit kanë ndryshuar.
Atëherë Jozefi nuk mund ta përmbajë më veten e tij dhe qan. Ai u prezantohet vëllezërve si Jozefi, vëllai që ata kujtonin se kish vdekur.
Vëllezërit e tij nuk janë në gjendje t’i përgjigjen, sepse janë të tmerruar në praninë e tij. Por Jozefi nuk ka dëshirë të hakmerret aspak. Te Zanafilla 50, ai përmbledh: “Ju keni kurdisur të këqija kundër meje, por PERËNDIA ka dashur që t’i shërbejë të mirës, për të kryer atë që po ndodh sot: të mbash gjallë një popull të shumtë”.
Në të djathtë të pikturës paraqitet një pikturë muri egjiptase e vjetër, e cila paraqet sjelljen e të korrave të grurit. Objekti në stolin e Jozefit është një rrahës drithi i stilizuar, një simbol i pjellorisë në Egjiptin e lashtë.
Paralele me jetën e Jezusit:
- Edhe Jezusi u dënua ndërsa ishte i pafajshëm.
21 Sepse atë, që nuk njihte mëkat, e bëri mëkat për ne, që ne të bëhemi drejtësia e Perëndisë në të. (2 e Korintasve 5:21).
- Edhe Jezusi u poshtërua, përpara se të lartësohej.
8 ... dhe duke u gjetur nga pamja e jashtme posi njeri, e përuli veten duke u bërë i bindur deri në vdekje, edhe deri në vdekje të kryqit.
9 Prandaj edhe Perëndia e lartësoi madhërisht dhe i dhuroi një emër përmbi çdo emër.
- Të gjithë morën bukën e përditshme prej Jozefit.
Jezusi është ‘buka e gjallë’. “... kush ha këtë bukë, do të jetojë përjetë”. (Gjoni 6:51, 58).
- Jozefi tha: “Ejani pranë meje”. Edhe Jezusi është i gatshëm të na falë dhe të rigjenerojë marrëdhënien tonë me Të. “Ejani tek unë, o të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t’ju çlodh”. (Mateu 11:28).
- Jezusi po ashtu do t’u prezantohet njerëzve të Tij si Mesia i tyre: “Do të derdh mbi shtëpinë e Davidit dhe mbi banorët e Jerusalemit Frymën e hirit dhe të përgjërimit; dhe ata do të vështrojnë drejt meje drejt atij që kanë tejshpuar; do të mbajnë zi për një bir të vetëm, ashtu si mbahet zi për një bir të vetëm, dhe do të hidhërohen shumë për të, ashtu si hidhërohesh fort për një të parëlindur. (Zakaria 12:10).
Zakaria 13:1 thotë: “Atë ditë do të hapet një burim për shtëpinë e Davidit dhe për banorët e Jerusalemit, për mëkatin dhe për papastërtinë”.