Pas 10 plagëve, që Zoti solli mbi Egjiptin, Faraoni më në fund i lë të shkojnë njerëzit e Tij. Pak më pas ai pendohet dhe vendos prapëseprapë t’i ndjekë ata. Izraelitët janë në hall; deti ndërpret rrugën e tyre para, ushtria egjiptase po i ndjek nga pas. Prania shpëtuese e Perëndisë shfaqet kur Engjëlli i Zotit qëndron mes tyre në një shtyllë reje, kështu që egjiptasit nuk mund t’u afrohen popullit të Izraelit. Moisiu duhet ta ngrejë shkopin e tij dhe të shtrijë dorën drejt detit dhe ta ndajë atë. Atëherë Zoti e kthen pas detin nëpërmjet një ere të fortë lindore dhe e bën të thatë tokën e detit. Populli shkon në mes të detit në tokën e thatë.
Paskëtaj, edhe egjiptasit me karrot e tyre shkojnë në mes të detit në tokë të thatë. (Ndoshta pozicioni i shtyllës së resë ka ndryshuar). Por kur Moisiu, me urdhër të Perëndisë, shtrin dorën e tij mbi detin, ujërat kthehen në shtratin e tyre normal dhe mbulojnë karrot dhe kalorësit.
Moisiu dhe Izraelitët shprehin mirënjohjen e tyre për shëlbimin në një këngë për Perëndinë. Shih edhe Zbulesa 19:1-6.
Në pikturë theksi është mbi mirënjohjen e shëlbimit.
Isaia 51:10-11
10 A nuk je ti ai që ke tharë detin, ujërat e humnerës së madhe, që i ke bërë rrugë thellësitë e detit, me qëllim që të çliruarit të kalonin?
11 Kështu të shpenguarit nga Zoti do të kthehen, do të vijnë në Sion me klithma gëzimi dhe një hare e përjetshme do të kurorëzojë kokën e tyre; do të marrin gëzim e hare dhe dhembja e rënkimi do të zhduken.
Çlirimi nga Egjipti është një parahije e shëlbimit të besimtarëve nga Jezus Krishti. Uji, në këtë kontekst, është një pamje e gjykimit dhe vdekjes. Kalimi i detit është – si arka e Noeut – një pamje e pagëzimit të krishterë.
Romakët 6:3-4 :
3 A nuk e dini se ne të gjithë që u pagëzuam në Jezu Krishtin, u pagëzuam në vdekjen e tij?
4 U varrosëm, pra, me të me anë të pagëzimit në vdekje, që ashtu si Krishti u ringjall prej së vdekurish me anë të lavdisë së Atit, kështu edhe ne të ecim në risinë e jetës.
Jeta skllavërore e vjetër u la pas në ujërat e vdekjes.
Zoti donte që populli i Tij të jetonte pas çlirimit nga Egjipti si një komb i shenjtë (i veçuar).
Më vonë Zoti do t’u jepte atyre ligjin e Tij si udhërrëfyes për një jetë mirënjohjeje dhe bindjeje.
Por se pavarësisht besnikërisë së Perëndisë populli shpesh ra në mëkat. Në Dhiatën e Re, kjo sjellje e Izraelitëve paraqitet si shembull paralajmërimi:
1 e Korintasve 10:1-7
1 Por nuk dua, o vëllezër, që ju të mos e dini se gjithë etërit tanë ishin nën renë, dhe të gjithë shkuan nëpër det,
2 dhe të gjithë u pagëzuan mbi Moisiun në re dhe në det,
3 dhe të gjithë hëngrën të njëjtin ushqim frymëror.
4 dhe të gjithë pinë të njëjtën pije frymërore, sepse pinin prej shkëmbi frymëror që i ndiqte; edhe ky shkëmb ishte Krishti.
5 Por Perëndia nuk pëlqeu shumicën prej tyre; sepse ranë të vdekur në shkretëtirë.
6 Dhe këto u bënë si shembuj për ne, që ne të mos dëshirojmë gjëra të liga, ashtu si dëshiruan ata,
7 dhe që të mos bëheni idhujtarë si disa nga ata, sikurse është shkruar: “Populli u ul që të hajë dhe të pijë, dhe u ngrit për të luajtur”.
Çlirimi në vetvete nuk ishte garanci për një jetë të shenjtë. Shenjtëria kërkon një zemër që i përkushtohet plotësisht Perëndisë, dhe është tërësisht e dorëzuar në udhëheqjen e Zotit.