Si lajmëtarë të Perëndisë, Moisiu dhe Aaroni duhet t’i flasin faraonit: Lëre popullin tim të shkojë që të më shërbejë në shkretëtirë;. Faraoni refuzon të njohë Perëndinë dhe të lerë popullin e Tij të shkojë. Pastaj vijon një përballje. Perëndia i tregon gjithëfuqinë e Tij faraonit duke shkaktuar plagë mbi Egjiptin. Këto plagë do ta detyrojnë faraonin më në fund ta lerë popullin e Perëndisë të shkojë.
Plaga e parë është shndërrimi i ujërave të Egjiptit në gjak. Kur faraoni del për te lumi në mëngjes, Moisiu dhe Aaroni duhet ta ballafaqojnë atë në breg të Nilit. Ata duhet t’ia bëjnë të qartë atij, se për shkak të refuzimit të tij, uji i Nilit do të kthehet në gjak.
Përpara syve të faraonit, Moisiu (ose Aaroni) godet ujin me stafin që më parë ishte shndërruar në gjarpër, dhe burimi i ujit të Egjiptit kthehet në gjak, kështu që peshqit ngordhin dhe një erë vdekje ngrihet. Magjistarët e faraonit nuk mund ta shndërrojnë gjakun në ujë sërish, por duket se janë në gjendje të kthejnë ujin në gjak edhe ata, kështu që faraoni i qëndron refuzimit të tij. Ai e ngurtëson zemrën e tij dhe vendos të mos pranojë Perëndinë.
- Moisiu vepron si ‘ndërmjetës i Besëlidhjes së Vjetër’ e cila sjell ndëshkimin e Perëndisë mbi shtypësin. Në fund ai (Moisiu), do ta udhëheqë popullin jashtë Egjiptit.
Moisiu është një parafytyrim i ‘Ndërmjetësit të Besëlidhjes së Re’, e cila te Zbulesa 19 quhet ‘Fjala e Perëndisë’. Ai është personi që kalëron kalin e bardhë, i cili zbaton gjykimin mbi johebrenjtë. Për këtë arsye, rroba e tij është ‘e ngjyer në gjak’. (Zbulesa 19:13).
Vargu 15 thotë: “... do të shkelë vozën e verës së mërisë dhe zemërimit të Perëndisë së Gjithëpushtetshëm”.
Te Zbulesa 16:3-8, lexojmë rreth një gjykimi të Perëndisë, ku uji kthehet në gjak. Sipas 16:6, ky është shpagimi për derdhjen e gjakut të njerëzve të shenjtë dhe të profetëve.
Shndërrimi i ujit në gjak te Eksodi 7, mund të jetë po ashtu shpagim për mbytjen e bijve hebrenj të sapolindur në lumin Nil.
- Në plagën e parë, uji shndërrohet në gjak. Shenja/mrekullia e parë që Jezusi bëri në publik, ishte shndërrimi i ujit në verë. Gjoni 2.
Në Darkën e Fundit, Jezusi e lidh verën me gjakun kur Ai thotë: “Kjo kupë (e mbushur me verë) është besëlidhja e re në gjakun tim, që derdhet për ju...”. Luka 22:20. Gjaku i Tij u derdh për ne kur Ai mbarti gjykimin e fundit në vendin tonë.