Izraelitët do ta shkelin menjëherë, besëlidhjen që bën Perëndia me ta, për shkak të idhujtarisë së tyre me dashin e artë. Me urdhër të Perëndisë u vranë tre mijë burra. Atëherë Moisiu kthehet te Zoti dhe lutet në emër të popullit si ndërmjetës. Pas ca kohe, kjo çon në përtëritjen e besëlidhjes (Eksodi 34:10-28). Sërish Zoti shkruan Dhjetë Urdhërimet në pllakat e gurit, të cilat Moisiu duhet t’i gdhendte. Moisiu zbret malin me pllakat e reja. Fytyra e tij ndriçon për shkak të takimit të tij me Zotin. Besëlidhja është përtërirë, rivendosur dhe mbajtur me anë të hirit të Zotit; nëpërmjet shpengimit që Ai jep. Populli duket i paaftë të mbajë ligjin, pavarësisht qëllimeve të mira.
Përmbledhja e ligjit është: “Duaje Perëndinë përmbi gjithçka dhe fqinjin tënd si vetveten”.
Ligji dhe Hiri
Në Dhiatën e Re, apostulli Pal shkruan disa herë mbi ligjin dhe hirin. Për shembull te Romakëve, kapitujt 1 – 8.
Romakëve 7:10-13 :
10 ‘dhe urdhërimi që u dha për jetë, ai u gjet tek unë për vdekje.
11 Sepse mëkati, duke marrë shkas me anë të urdhrit, më mashtroi dhe me anë të tij më vrau.
12 Kështu ligji është i shenjtë dhe urdhërimi është i shenjtë, i drejtë dhe i mirë.
13 Ajo gjë, pra, që është e mirë u bë vdekje për mua? Kurrë mos qoftë; por mëkati, që të duket mëkat, me anë të së mirës më pruri vdekjen, që mëkati të bëhet edhe më tepër mëkat nëpërmjet urdhërimit’.
Galatasve 3:13-19 :
13 Krishti na shpengoi nga mallkimi i ligjit, sepse u bë mallkim për ne (sepse është shkruar: “I mallkuar është kushdo që varet në dru”),
14 që bekimi i Abrahamit t’u vijë kombeve nëpërmjet Jezu Krishtit, që ne të marrim premtimin e Frymës përmes besimit.
15 O vëllezër, po flas si njeri; edhe dhjatën e njeriut, pasi është vërtetuar, asnjeri s’e hedh poshtë, apo i shton gjë.
16 Edhe premtimet iu bënë Abrahamit dhe pasardhësit të tij. Nuk thotë: “Edhe pasardhësve” si për shumë, por si për një: “Dhe pasardhësit tënd”, që është Krishti.
17 Dhe unë them këtë: ligji, që erdhi katërqind e tridhjetë vjet më pas, nuk e zhvleftëson dhjatën e miratuar më parë nga ana e Perëndisë në Krishtin, në mënyrë që të prishë premtimin.
18 Sepse, në qoftë se trashëgimia është prej ligjit, nuk është më prej premtimit. Por Perëndia ia fali atë Abrahamit me anë të premtimit.
19 Atëherë, pse u dha ligji? Ai u shtua për shkak të shkeljeve, derisa të vinte pasardhësi të cilit i qe bërë premtimi; dhe ky ligj u porosit përmes engjëjve, me anë të dorës së një ndërmjetësi.
Pasardhësi është Jezus Krishti. Ai ka përmbushur plotësisht ligjin, në vendin tonë, dhe Ai ka mbajtur ndëshkimin tonë. Psalmet profetizojnë për Të:
Psalmet 40:7-8
7 Atëherë unë thashë: “Ja, po vij.
Në rrotullën e librit shkruhet për mua.
8 Perëndia im, unë gëzohem kur
zbatoj vullnetin tënd dhe ligji yt
është brenda zemrës sime”.
Psalmet 119:97
97 Oh sa shumë e dua ligjin tënd!
Ai është përsiatja ime gjithë ditën.
Besimi në Jezus Krishtin e ndryshon zemrën. Fryma e Shenjtë shkruan ligjin e Perëndisë në zemrën e besimtarit. Jeremia 31:33.
Galatasve 5:13-26
13 Sepse ju, o vëllezër, u thirrët në liri; po mos e përdorni këtë liri si një rast për mishin por, përmes dashurisë, t’i shërbeni njëri-tjetrit.
14 Sepse gjithë ligji përmbushet në këtë fjalë të vetme: “Duaje të afërmin tënd porsi vetveten!”.
15 Por nëse ju kafshoni dhe hani njëri-tjetrin, ruhuni e mos gllabëroheni nga njëri-tjetri.
16 Por po them: Ecni në Frymë dhe nuk do të përmbushni dëshirat e mishit,
17 sepse mishi ka dëshira kundër Frymës, dhe Fryma ka dëshira kundër mishit; dhe këto i kundërvihen njëra-tjetrës, që të mos bëni ato që doni.
18 Por në qoftë se udhëhiqeni nga Fryma, nuk jeni nën ligj.
19 Por veprat e mishit janë të shfaqura dhe janë: kurorëshkelja, kurvëria, papastërtia, shthurja,
20 idhujtaria, magjia, armiqësia, grindja, xhelozia, zemërimi, rivaliteti, përçarjet, tarafet,
21 smira, vrasjet, të dehurit, grykësia dhe të tjera të ngjashme me to, për të cilat po ju paralajmëroj, sikurse ju thashë edhe më parë, se ata që i bëjnë këto gjëra nuk do të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë.
22 Por fryti i Frymës është: dashuria, gëzimi, paqja, zemërgjerësia, mirësia, besimi, zemërbutësia, vetëpërmbajtja.
23 Kundër tyre nuk ka ligj.
24 Por ata që janë të Krishtit e kanë kryqëzuar mishin bashkë me pasionet dhe epshet.
25 Në qoftë se rrojmë në Frymë, në Frymë edhe le të ecim.
26 Le të mos kërkojmë lavdi të kotë, duke provokuar njëri-tjetrin dhe duke pasur smirë njëri-tjetrin.