Rebelimi kundër Perëndisë dhe mosbesimi në premtimet e Tij i shkaktoi izraelitët të mbeteshin në shkretëtirë për 40 vjet. Më pas, afron momenti kur brezi i ri mund të hyjë në Tokën e Premtuar. Por, atëherë, për shkak të vështirësive të shkretëtirës, ndërthurur me një sulm nga Kanaanitët, gjithçka bëhet e tepërt për t’u duruar nga ata. Ata fillojnë të murmurisin kundër Perëndisë dhe kundër Moisiut, pavarësisht manës dhe ankohen për mungesën e ujit.
Atëherë Perëndia dërgon gjarpërinj flakërues mes njerëzve, dhe shumë kafshohen dhe vdesin. Njerëzit rrëfejnë mëkatin e tyre dhe Moisiu lutet për ta. Zoti atëherë jep mjetet për të qëndruar gjallë pasi të kafshohen nga një gjarpër. Ai urdhëron Moisiun të bëjë një gjarpër bronzi, ta vendosë mbi një shtizë, në një vend të lartë, kështu që gjithkush të mund ta shohë. Nëse dikush që është kafshuar nga një gjarpër shikon te gjarpri i bronzit, ai do të jetojë.
Jezusi e përmend këtë histori në bisedën e Tij me Nikodemin. Gjoni 3:14-17.
14 Dhe ashtu si Moisiu e ngriti gjarprin në shkretëtirë, kështu duhet të ngrihet lart Biri i njeriut,
15 që të gjithë që besojnë në të, të mos humbasin, por të kenë jetën e përjetshme.
16 Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme.
17 Sepse Perëndia nuk e dërgoi Birin e vet në botë që ta gjykojë, por që bota të shpëtohet me anë të tij.
‘Të ngrihet lart’ i referohet kryqëzimit të Jezusit. Gjoni 8:28.
Djalli, i cili quhet “ai gjarpër i lashtë” (Zbulesa 12:9), tundoi njeriun që të mëkatojë. Zanafilla 3. Që nga ai moment, çdo pasardhës i Adamit ka lindur si mëkatar. Kjo gjendje krahasohet me atë të izraelitëve të cilët kafshohen nga gjarpërinj flakërues. Si izraelitët që mund të shpëtoheshin vetëm duke shikuar gjarprin e bronztë, kështu ne mund të shpëtohemi dhe të kemi jetë të përjetshme, vetëm përmes besimit në Jezu Krishtin. Ashtu si gjarpri i bronztë ngjante si gjarpër helmues, kështu Jezusi, Biri i Perëndisë, u bë si njeri, me përjashtim të mëkatit. 2 e Korintasve 5:21.
Te 1 e Korintasve 10:9-12, Pali u rikujton korintasve këtë histori.
9 Dhe të mos e tundojmë Krishtin, si edhe e tunduan disa nga ata dhe u vranë nga gjarpërinjtë.
10 As të mos murmurisni, sikundër edhe disa nga ta murmuritën, dhe u vranë nga shkatërruesi.
11 Dhe të gjitha këto gjëra u ndodhën atyre si shembull, dhe janë shkruar për paralajmërimin tonë, mbi të cilët arriti fundi i botës.
Arsyeja pse Pali i lajmëroi ata, ishte sepse disa korintas nuk e vlerësuan siç duhet Darkën e Zotit. Buka dhe vera tregojnë trupin dhe gjakun e Krishtit. Duhet të shihet si ushqim frymëror për të forcuar besimin në Të.
Te Numrat 21, izraelitët e përçmuan manan që Zoti ua kishte dhënë dhe murmuritën për mungesën e ujit në shkretëtirë. Mana dhe uji nga shkëmbi, ishin ushqim dhe pije frymërore. Ato drejtonin për tek Krishti, Buka prej qiellit, dhe shkëmbi prej të cilit rridhte uji i gjallë. Gjoni 6:30-35, 1 e Korintasve 10:4.
Gjoni 3:36 “Ai që beson në Birin ka jetë të përjetshme, por ai që nuk i bindet Birit, nuk do të shohë jetë, por zemërimi i Perëndisë qëndron mbi të”.
Gjoni 6:40 “Ky, pra, është vullneti i atij që më ka dërguar: që kushdo që sheh Birin dhe beson në të, të ketë jetë të përjetshme; dhe unë do ta ngjall atë në ditën e fundit”.