Jezusi tregon shëmbëlltyrën e virgjëreshave të zgjuara dhe budallaçka, pak ditë para se të vuante dhe të vdiste në kryq. Ai do të tregojë nevojën për të qenë të përgatitur në kohë për Ardhjen e Tij të dytë nga parajsa.
Kishës i referohemi si ‘Nusja e Krishtit’. Jezusi, Dhëndri qiellor, ngjitet në qiell pasi është ringjallur nga vdekja, që të “përgatisë një vend” për nusen e Tij (Gjoni 14), por do të kthehet për të, që ta marrë në festën dasmore qiellore.
Në këtë shëmbëlltyrë, të dhjeta virgjëreshat janë ftuar për banketin dasmor. Në këto kohë, është e zakonshme për shoqërueset e nuses – shoqe të nuses së ardhshme – të shkojnë nga shtëpia prindërore e nuses që të takojnë dhëndrin kur ai të vijë për ta marrë. Në shëmbëlltyrë pesë vajza nuk e marrin vajin me vete për pishtarët ose llambat e tyre. Ato quhen ‘budallaçka’. Pesë vajzat, të cilat e marrin vajin me vete, janë të zgjuara.
Është e vërtetë se pesë vajzat budallaqe morën ftesë që të bashkoheshin në banketin dasmor. Ato kishin edhe llambë. Por në mes të natës, kur shfaqet dhëndri, ato nuk janë të përgatitura për ardhjen e tij. Vajzat e zgjuara nuk mund ta ndajnë vajin e tyre me to dhe i këshillojnë që të venë të blejnë vaj. Ato shkojnë, por pas kësaj, bëhen vonë. Dera e sallës së dasmës është mbyllur tashmë.
Ato thërrasin: “Zot, Zot, hapna”. Në dialektin judeas përsëritja e emrit/titullit tregonte një afri personale me të thirrurin. Është e mundshme që dhëndri të njihte personat që morën ftesë, e megjithatë ai përgjigjet: “Nuk ju njoh”, gjë që mund të shpjegohet si “nuk dua të kem të bëj me ju”.
Kjo më kujton Mateun 7:21-23 : “21 Jo kushdo që më thotë: “Zot, Zot”, do të hyjë në mbretërinë e qiejve; por ai që bën vullnetin e Atit tim, që është në qiej. 22 Shumë do të më thonë në atë ditë: “Zot, Zot, a nuk profetizuam në emrin tënd dhe i dëbuam demonët në emrin tënd dhe kemi bërë shumë vepra të fuqishme në emrin tënd?”. 23 Dhe atëherë do t’u rrëfej atyre: “S’ju kam njohur kurrë; largohuni nga unë, ju që keni bërë paudhësi”.
Mësimi nga kjo shëmbëlltyrë është se jo të gjithë ata që janë të numëruar tani në Mbretërinë e Qiellit, do të jenë gati kur Krishti të kthehet. Si rrjedhojë, ata do të përjashtohen më pas nga kjo mbretëri. Rrëfimi personal i besimit duhet të ecë hap pas hapi me një jetë në besim; ‘për të bërë vullnetin e Atit’.