Pasi shfaqi fuqinë e Tij në fashitjen e stuhisë kur po kalonin Detin e Galilesë, Jezusi vjen në breg me dishepujt e Tij në “tokën e Gadarenës” (ose: Dekapolis, rajoni i dhjetë qyteteve që kishin bërë marrëveshje me njëra-tjetrën).
Besohet se ndodhet afër Gergesës (Kursi i sotëm), në bregun perëndimor të liqenit. Hebrenjtë e shmangnin këtë zonë të pafe sepse e papastër për ta.
Kur Jezusi ishte larguar nga anija, një i demonizuar që ishte pushtuar nga ‘frymëra të ndyra’, vjen drejt Tij. Sjelljet dhe mendimet e burrit zotërohen nga demonët; ai nuk ka kontroll mbi veten e tij. Ai banon në varrezat e rrëzës së malit. Kjo shpellë varrimi është e papastër për hebrenjtë për shkak të pranisë së trupave të vdekur.
Frymërat e bëjnë atë të rrahë veten e tij me gurë dhe asnjë njeri nuk mundet ta nënshtrojë atë, për shkak të forcave të mbinatyrshme që e zotërojnë. Burri bie te këmbët e Jezusit.
Duket se frymërat e papastra e njohin Jezusin që është Biri i perëndisë dhe kanë frikë se ai ka ardhur t’i torturojë ata ‘përpara kohës’. Me sa duket ata kanë dijeni se destinacioni i tyre i fundit është Liqeni i Zjarrtë. Zbulesa 20:10.
Frymët e quajnë veten e tyre Legjion. Një legjion romak përbëhej nga 6.000 ushtarë.
Jezusi i urdhëron frymërat që të dalin nga burri dhe i lejon të futen tek një tufë derrash që po kulloten në një anë mali aty afër. Për hebrenjtë derrat janë kafshë të papastra. Rritja e derrave tregon një kulturë pagane të zonës. Kur frymërat hyjnë te derrat, ata vrapojnë me nxitim drejt një shpati të pjerrët dhe derdhen në liqen, ku mbyten.
Burri që u çlirua nga demonët tani dukej normal, dhe pyeti Jezusin nëse Ai e lejonte që të shkonte me Të. Megjithatë, Jezusi e udhëzon të qëndrojë në zonë që t’u dëshmojë fqinjëve të tij për Atë që e çliroi nga fuqia e djallit dhe se si Ai pati mëshirë për të. Burri i bindet dhe fillon të shpallë përgjatë zonës së Dekapolisit atë çka kishte bërë Jezusi për të.
Kjo histori tregon fuqinë e Jezusit për të çliruar njerëzit nga fuqia e djallit, dhe për të vendosur Mbretërinë e Tij ku dikur zotëronte djalli.
1 e Gjonit 3:8b : ‘... për këtë është shfaqur Biri i Perëndisë; për të shkatërruar veprat e djallit’.
Mateu 12:28 : ‘Por në qoftë se unë i dëboj djajtë me anë të Frymës së Perëndisë, atëherë mbretëria e Perëndisë ka ardhur në mes tuaj.’
Gjoni 12:31 : ‘Tani është gjykimi i kësaj bote; tani do të hidhet jashtë sundimtari i kësaj bote’.
Gjoni 8:36 : ‘Pra, nëse Biri do t’ju bëjë të lirë, do të jeni me të vërtetë të lirë’.
Në librin e parë të Biblës, Zanafilla 3:15, profetizohet se “fara e gruas” (Jezusi) do të shtypë kokën e gjarprit (djallit)”. Me sakrificën e Tij në kryq në Kalvar, Jezusi ka mundur djallin.
Kolosianëve 2:15 : ‘... dhe mbasi i zhveshi principatat dhe pushtetet, i turpëroi botërisht, duke ngadhënjyer mbi ata, nëpërmjet tij’.
Libri i fundit i Biblës – Zbulesa përshkruan shkatërrimin përfundimtar të djallit:
Zbulesa 20:10 : ‘Dhe djalli që i mashtronte, u hodh në liqenin e zjarrit e të squfurit, ku janë bisha dhe profeti i rremë; dhe do të mundohen ditë e natë në jetë të jetëve’.