Te Psalmi 23, Davidi – psalmisti – shkruan se Zoti është Bariu i tij, i cili kujdeset për të, e udhëheq, dhe e pajis me të gjitha nevojat e tij fizike dhe shpirtërore. Kjo vlen për të personalisht.
Në Bibël, Zoti quhet edhe Bariu i gjithë kombit t Izraelit, për shembull te Psalmi 28:9, 80:2.
Te Psalmi 23:4, ‘delja’ i drejtohet Bariut. Kjo tregon një marrëdhënie personale.
‘Kalimi nëpër luginë’ tregon për një udhëtim, të qenit rrugës. Delja kalon verën në afërsi të bariut, i cili i drejton ato në kullota malesh të larta plot me bar. Udha më e mirë për atje është gjithmonë përmes luginës. Atje janë shpatet më pak të pjerrëta, dhe ka ujë të mjaftueshëm dhe ushqim për udhëtimin.
Megjithatë, në këto lugina dhe kanione fshihen dhe rreziqe vdekjeprurëse; kafshë të egra që mund t’i sulmojnë delet, stuhi të papritura të dhunshme mund t’i bëjnë rrekëzat e maleve në rrjedha të tërbuara në kohë të shkurtër. Copëza shkëmbinjsh mund të bien nga anët e malit. Atëherë bariu është aty që të japë strehë në kohën e duhur.
‘... shkopi yt dhe kërraba jote më japin zemër...’
Shkopi është një lloj druri më pak se një metër i gjatë, me një mbështjellje lëkure të ngjitur, të cilin barinjtë e stërvitur mund ta hedhin ose gjuajnë me saktësi të madhe kundër një grabitqar ose ndaj deleve që largohen nga tufa.
Në këtë mënyrë bariu e mbron tufën.
Kërraba është më e hollë dhe më e gjatë se shkopi dhe ka një majë të kërrusur. Mund të shërbejë për të drejtuar delet në drejtimin e duhur, dhe me majën e kërrusur një dele mund të ngrihet nga një gropë ose një grykë.
Një dele që kërkon për ushqim me kokën ulur gjithë ditën orientohet kryesisht me anë të dëgjimit. Goditja e kërrabës së bariut në tokë, i tregon se në ç’drejtim po lëviz bariu. Në të njëjtën kohë tingulli i kërrabës i jep deles një ndjesi të afrimitetit të bariut.
Shkopi dhe kërraba simbolizojnë Fjalën e Perëndisë; Bibla, në të cilën Ai shpreh vullnetin e tij dhe qëllimin e Tij kundrejt njerëzimit. Shkopi tregon më shumë një aspekt ndëshkues të Fjalës, kërraba një aspekt më të lehtë korrigjimi, por edhe drejtimi në jetë, dhe sigurie.
Psalmi 119:176 : ‘Unë po endem si një dele e humbur. Kërkoje shërbëtorin tënd, sepse unë nuk i harroj urdhërimet e tua’.
Marku 6:34 : ‘Dhe kur Jezusi doli nga barka, pa një turmë të madhe dhe pati dhembshuri, sepse ishin si delet pa bari; dhe nisi t’u mësojë shumë gjëra’.
Gjoni 10:11, Jezusi thotë : ‘Unë jam bariu i mirë, bariu i mirë jep jetën e vet për delet’.