Shih edhe Marku 4:35-41, Luka 8:22-25
Pas një dite të lodhshme mësimdhënieje, Jezusi dëshiron të kalojë Liqenin e Galilesë. Dishepujt e tij e ndjekin Atë në anije. Tekstet që vijnë menjëherë para kësaj historie, tregojnë se si ndiqet Jezusi. Mateu 8:18-22.
Jezusi bie në gjumë në kiç, mbi një jastëk. (Marku 4:38). Ai (jastëk) është një thes rëre që përdoret për të ekuilibruar anijen.
Pastaj një stuhi e madhe ngrihet. Atëherë, dishepujt, të cilët ishin peshkatarë nga profesioni dhe njiheshin me situatën e liqenit, nuk mund ta ndalonin mbytjen e anijes. Në trazimin e tyre ata zgjojnë Jezusin duke thirrur: “O Zot, na shpëto, po humbasim!”. Në ankthin e tyre, sidoqoftë, ata kuptojnë se Ai mund t’i ndihmojë. Duke u zgjuar, Jezusi i pyet ata se pse janë kaq të shqetësuar. “Ku është besimi juaj?”. Luka 8:25.
Atëherë ai ngrihet dhe “qorton” erërat dhe detin. ‘Dhe u bë bunacë e madhe’.
Dishepujt tani frikësohen për një arsye tjetër, dhe thonë: “Kush është ky, të cilit po i binden deti dhe erërat?”. Kjo mrekulli tregon autoritetin hyjnor të Zotit Jezus. Në fund të fundit, askush nuk mund të kontrollojë dhe urdhërojë elementët e natyrës në mënyrë të tillë përveçse Perëndia vetë.
Dhiata e Vjetër thotë:
Psalmi 89:8-9
8 O Zot, Perëndi i ushtrive, kush është i fuqishëm si ti, o Zot? Besnikëria jote të rrethon kudo.
9 Ti e sundon tërbimin e detit; kur valët e tij ngrihen, ti i qetëson.
Shih gjithashtu Psalmi 65:8, Psalmi 93:4, Psalmi 107:23-32, Isaia 51:9-10
Jezusi vërtetoi jo vetëm që ka fuqi mbi sëmundjet dhe mbi forcat demoniake duke i çliruar njerëzit prej tyre, por tani Ai tregon po ashtu autoritet mbi forcat natyrore. Kjo tregon edhe më qartë se Ai është më shumë se njerëzor: Ai është një me Perëndinë Atë. Te Luka 9:20, Jezusi pyet: “Po ju kush thoni se jam unë? Atëherë Pjetri duke u përgjigjur tha; “Krishti (Mesia) i Perëndisë””.
Kisha ndonjëherë krahasohet me një anije. Gjithë llojet e furtunave mund të ngrihen që kërcënojnë ta zhysin; persekutimi, mësimet e rreme, mëkati, kundërshtimet e djallit. Rezistenca me të cilën ndeshet Jezusi në botë ndikon edhe ndjekësit e Tij.
Është për t’u shënuar se në librin e Jobit, Djallit i jepet mundësia nga Perëndia, që të ndikojë mbi gjithçka që kishte Jobi, përveç jetës së tij. Te Jobi 1:19, përmendet një erë e stuhishme që e shkakton shtëpinë ku ishin fëmijët e Jobit, të shkatërrohet. A ka gisht Djalli te stuhia në liqen?
Fjala “qortim” përdoret po ashtu diku tjetër kur Jezusi i drejtohet fuqive demonike dhe të sëmundjeve.
Sidoqoftë, në çdo stuhi, Zoti i Kishës ka autoritet mbi forcat që e kërcënojnë. Kjo histori i bën thirrje ndjekësve të Jezusit që të kenë besim në Të në çdo situatë.