Te Luka 15:2, thuhet se drejtuesit fetarë e qortuan Jezusin sepse shoqërohej me njerëz mëkatarë si gratë e përdala dhe zyrtarë të korruptuar të taksave: “Ky i pranon mëkatarët dhe ha bashkë me ta”. Në përgjigje, Jezusi tregon tre shëmbëlltyra. Këto tre shëmbëlltyra te Luka 15, janë të gjitha mbi diçka që kish humbur dhe u gjet. Në Dhiatën e Vjetër, profeti Ezekiel ka profetizuar se Perëndia, “Vetë Bariu i Izraelit” do të kërkojë delet e tij të vërdallosura dhe të humbura sepse barinjtë e pabesë kanë dështuar. Ezekieli 34.
Te Mateu 15:24, Jezusi thotë: “Nuk jam dërguar gjetiu, përveçse te delet e humbura të shtëpisë së Izraelit”. Djali i ri i cili në shëmbëlltyrën e dy bijve, la shtëpinë e atit të tij që të shkojë në rrugën e tij sipas modelit të ‘deles së humbur’. Kur u kthye tek ati i tij gjeti falje dhe gëzim. Pra, ka gëzim në qiell për të gjithë njerëzit mëkatarë që kthehen te Perëndia. Kjo shëmbëlltyrë mund të japë përshtypjen se Perëndia fal me gatishmëri ata që vijnë tek Ai dhe nuk i kushton vëmendje mëkatit që ka kryer.
Megjithatë, Perëndia është i mëshirshëm, por Ai është edhe i drejtë. Mëkati duhet ndëshkuar. Rruga e kthimit te Perëndia është e hapur vetëm sepse Jezusi mbarti dënimin në vendin tonë. Gjoni 3:16 : ‘Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetën e përjetshme’.
Jezusi thotë te Gjoni 14:6 :’Unë jam udha, e vërteta dhe jeta askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet meje’.
Djali i madh në shëmbëlltyrë i ngjan drejtuesve fetarë që e akuzuan Jezusin se ishte shok i mëkatarëve. Ai ishte i drejtë në sytë e tij. Ai e përbuzi vëllain e tij dhe nuk i tregoi aspak dashuri. Ai nuk ishte i gëzuar nga kthimi i tij.
Në mënyrë të ngjashme, drejtuesit fetarë nuk kishin dashuri për njerëzit që ‘nuk kishin njohuri për ligjin’, Gjoni 7:49. Derisa djali i madh të pendohej për mosdashurinë e tij dhe për qëndrimin përçmues, ai do të ishte ‘djali i humbur’ i vërtetë.
Misioni i Jezusit shkonte përtej kërkimit të të humburve në Izrael. Te Gjoni 10:16, Ai thotë: “Unë kam edhe dele të tjera që nuk janë të kësaj vathe; duhet t’i sjell edhe ato, dhe ato do ta dëgjojnë zërin tim, dhe do të jetë një tufë e vetme dhe një Bari i vetëm”.
Vepra e Tij e shpengimit ka domethënie mbarëbotërore.
“51 ... Jezusi duhej të vdiste për kombin, 52 dhe jo vetëm për kombin, por edhe për t’i mbledhur në një, bijtë e Perëndisë që ishin të shpërndarë”. Gjoni 11:51-52. Efesianëve 2:11-22.