Kthehu te indeksi

Kthimi i djalit plëngprishës

Kjo përmbajtje është e disponueshme vetëm pasi të keni pranuar cookies.

Luka 15:20

U çua, pra, dhe shkoi tek i ati. Por kur ishte ende larg, i ati e pa dhe pati dhembshuri; u lëshua vrap, u hodh mbi qafën e tij dhe e puthi.

Teksti i plotë i biblës

Luka 15:11-32 11 Dhe tha: “Një njeri kishte dy bij. 12 Më i riu i tyre i tha babait: “Atë, më jep pjesën e pasurisë që më takon”. Dhe ati ua ndau ç’kishte. 13 Mbas jo shumë ditësh biri më i ri mblodhi çdo gjë, shkoi larg në një vend të huaj dhe atje e prishi gjithë pasurinë, duke bërë një jetë të shthurur. 14 Dhe, si i shpenzoi të gjitha, në atë vend ra një zi e madhe buke, dhe ai filloi të jetë nevojtar. 15 Atëherë shkoi e iu ngjit pas një qytetari të atij vendi, i cili e çoi në arat e tij që të kullotë derrat. 16 Dhe ai dëshironte të mbushte barkun me lendet që hanin derrat, por askush nuk ia jepte. 17 Atëherë erdhi në vete dhe tha: “Sa mëditësve të atit tim u tepron buka, kurse unë po mbaroj nga uria! 18 Do të çohem dhe do të shkoj tek im atë dhe do t’i them: “Atë, mëkatova kundër qiellit dhe para teje; 19 nuk jam i denjë të quhem yt bir; më bëj si një nga mëditësit e tu”. 20 U çua, pra, dhe shkoi tek i ati. Por kur ishte ende larg, i ati e pa dhe pati dhembshuri; u lëshua vrap, u hodh mbi qafën e tij dhe e puthi. 21 Dhe i biri i tha: “O atë, mëkatova kundër qiellit dhe para teje dhe nuk jam i denjë të quhem biri yt”. 22 Por i ati u tha shërbëtorëve të vet: “Sillni këtu rrobën më të mirë dhe vishjani, i vini një unazë në gisht dhe sandale në këmbë. 23 Sillni viçin e majmur dhe thereni; të hamë dhe të gëzohemi, 24 sepse ky biri im ishte i vdekur dhe u kthye në jetë, ishte i humbur dhe u gjet”. Dhe filluan të gëzoheshin. 25 Djali i tij i madh ishte në arë; dhe kur erdhi dhe iu afrua shtëpisë, dëgjoi këngë e valle. 26 Atëherë thirri një nga shërbëtorët dhe e pyeti ç’ishte e gjitha kjo. 27 Dhe ai I tha: “Erdhi yt vëlla dhe yt atë theri viçin e majmur, sepse iu kthye djali shëndoshë e mirë”. 28 Por ai u zemërua dhe nuk deshi të hynte; atëherë i ati doli dhe i lutej të hynte. 29 Por ai iu përgjigj të atit dhe i tha: “Ja, kaq vite që po të shërbej dhe kurrë s’kam shkelur asnjë nga urdhrat e tu, e megjithatë kurrë s’më dhe një kec që të gëzohem me miqtë e mi. 30 Por, kur erdhi ky djali yt, që prishi pasurinë tënde me kurva, ti there për të viçin e majmur”. 31 Atëherë i ati i tha: “O bir, ti je gjithmonë me mua, dhe gjithë të miat janë të tuat. 32 Por duhet të festojmë dhe të gëzohemi, sepse ky vëllai yt ishte i vdekur dhe u kthye në jetë, kishte humbur dhe u gjet”.

Mbi pikturën

Kjo përmbajtje është e disponueshme vetëm pasi të keni pranuar cookies.
Te Luka 15:2, thuhet se drejtuesit fetarë e qortuan Jezusin sepse shoqërohej me njerëz mëkatarë si gratë e përdala dhe zyrtarë të korruptuar të taksave: “Ky i pranon mëkatarët dhe ha bashkë me ta”. Në përgjigje, Jezusi tregon tre shëmbëlltyra. Këto tre shëmbëlltyra te Luka 15, janë të gjitha mbi diçka që kish humbur dhe u gjet. Në Dhiatën e Vjetër, profeti Ezekiel ka profetizuar se Perëndia, “Vetë Bariu i Izraelit” do të kërkojë delet e tij të vërdallosura dhe të humbura sepse barinjtë e pabesë kanë dështuar. Ezekieli 34. Te Mateu 15:24, Jezusi thotë: “Nuk jam dërguar gjetiu, përveçse te delet e humbura të shtëpisë së Izraelit”. Djali i ri i cili në shëmbëlltyrën e dy bijve, la shtëpinë e atit të tij që të shkojë në rrugën e tij sipas modelit të ‘deles së humbur’. Kur u kthye tek ati i tij gjeti falje dhe gëzim. Pra, ka gëzim në qiell për të gjithë njerëzit mëkatarë që kthehen te Perëndia. Kjo shëmbëlltyrë mund të japë përshtypjen se Perëndia fal me gatishmëri ata që vijnë tek Ai dhe nuk i kushton vëmendje mëkatit që ka kryer. Megjithatë, Perëndia është i mëshirshëm, por Ai është edhe i drejtë. Mëkati duhet ndëshkuar. Rruga e kthimit te Perëndia është e hapur vetëm sepse Jezusi mbarti dënimin në vendin tonë. Gjoni 3:16 : ‘Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetën e përjetshme’. Jezusi thotë te Gjoni 14:6 :’Unë jam udha, e vërteta dhe jeta askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet meje’. Djali i madh në shëmbëlltyrë i ngjan drejtuesve fetarë që e akuzuan Jezusin se ishte shok i mëkatarëve. Ai ishte i drejtë në sytë e tij. Ai e përbuzi vëllain e tij dhe nuk i tregoi aspak dashuri. Ai nuk ishte i gëzuar nga kthimi i tij. Në mënyrë të ngjashme, drejtuesit fetarë nuk kishin dashuri për njerëzit që ‘nuk kishin njohuri për ligjin’, Gjoni 7:49. Derisa djali i madh të pendohej për mosdashurinë e tij dhe për qëndrimin përçmues, ai do të ishte ‘djali i humbur’ i vërtetë. Misioni i Jezusit shkonte përtej kërkimit të të humburve në Izrael. Te Gjoni 10:16, Ai thotë: “Unë kam edhe dele të tjera që nuk janë të kësaj vathe; duhet t’i sjell edhe ato, dhe ato do ta dëgjojnë zërin tim, dhe do të jetë një tufë e vetme dhe një Bari i vetëm”. Vepra e Tij e shpengimit ka domethënie mbarëbotërore. “51 ... Jezusi duhej të vdiste për kombin, 52 dhe jo vetëm për kombin, por edhe për t’i mbledhur në një, bijtë e Perëndisë që ishin të shpërndarë”. Gjoni 11:51-52. Efesianëve 2:11-22.

Bëj një pyetje mbi pikturën

Shkarkoe imazhin falas A preferon një stampim në kanavacë?